Presidenti i Republikës Ilir Meta ka folur për mungesën e një takimi me homologun e tij turk Recep Tayyip Erdogan i cili ishte për vizitë zyrtare në Shqipëri. Meta tha se nuk ka arsye të ketë ndonjë keqardhje dhe se Erdogan ka qenë i ftuar i qeverisë. Ai tha se nëse do kërkonte ndonjë takim sot, do bënte sforcim për ta takuar pasi ka pasur një axhendë shumë të ngarkuar.
“Sot ka qenë një ditë shumë e jashtëzakonshme për mua, i angazhuar në shumë aktivitete për të nderuar kujtimin e paharruar të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Nuk kam arsye të kem ndonjë keqardhje që nuk kam takuar z.Erdogan. Z.Erdogan ka qenë i ftuar i Qeverisë dhe është sjellë si i ftuar i Qeverisë. Uroj të ketë kaluar sa më mirë në Shqipëri. Nëse do kërkonte një takim sot do bëja një sforcim për ta takuar sepse kam pasur një axhendë vërtet shumë të ngarkuar, por nuk ka kërkuar takim. Z.Erdogan nuk ka qenë i ftuar nga unë. Doja të falënderoja me shumë mirënjohje popullin turk për ndihmat bujare që i kanë dhënë popullit shqiptar”, deklaroi Meta.
Ai nuk ka dashur të japë komente për vizitën e presidentit turk.
“Kam pasur një ditë shumë të mirë sot. Në kalendarin tim 17 janari, 2 marsi dhe 28-29 nëntori janë data shumë të rëndësishme. Nuk kam asnjë koment për vizitën e z.Erdogan sepse siç ju thashë jam shumë i lumtur që axhenda ime sot ka qenë plotësisht e fokusuar tek përkujtimi i veprës së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, tha Meta.