Ndërkohë që në shumë drejtori të qarkut Shkodër bëhen zëvendësime të herëpashershme, në drejtorinë Rajonale të Entit Kombëtar të Banesave mungon titullari prej 6 muajsh.
Kjo situatë ka penalizuar se tepërmi institucionin, megjithatë puna është kryer deri më 6 shtator, kohë kur u largua edhe inxhinieri përgjegjës i kësaj drejtorie. Që nga ajo datë, në Entin Kombëtar të Banesave është e pamundur të kryhen pagesa dhe rinovim kontratash. Një nga të shumtët persona që vuajnë një situatë të tillë është Gjelosh Mitaj, i cili nuk mund të bëjë transaksione bankare për blerjen e banesës si pasojë e mungesës së këtyre zyrtarëve… Star Plus është interesuar pranë kësaj drejtorie, por punonjësit e paktë që kanë mbetur aty nuk kanë asnjë shpjegim për situatën. Gjatë muajit Shtator që është larguar përgjegjësi i zyrës, punonjësve të tjerë nuk do t’u jepen as pagat pa firmosur një titullar i emëruar. Ata thonë së shumë çështje që paraqiten nuk u japin dot zgjidhje, ndërsa shpresojnë se gjatë muajit Tetor Drejtoria e Përgjithshme e Entit Kombëtar të Banesave do të emërojë një drejtues. Kjo e fundit nuk ka marrë asnjë masë, madje nuk përgjigjet në asnjërin prej numrave të kontaktit që janë afishuar në website-n zyrtar. Përballë kësaj neglizhence, ata që dëmtohen më tepër nga kjo mungesë serioziteti, janë qytetarët e Shkodrës, të cilëve pavarësisht qëndrimit të gjatë në dyert e zyrave, mesa duket do t’u duhet të plotësojnë edhe njëherë dokumentacionin e nevojshëm, kjo pas emërimit të drejtorit që mungon prej muajsh.