Inxhinieri Artur Roshi ka folur për gjendjen e kompleksit 15 katësh në Durrës. Ai tha se muret janë ndërtuar shumë keq dhe jashtë çdo lloj kriterit dhe nuk kanë asnjë brez anti sizmik.
“Muret janë bërë shumë keq, kolonat janë korrekt. Muret janë jashtë çdo lloj kriteri. Janë të pabanueshme. Atje nuk ka as brez antisizmik. Pjesën e kolonës nuk ka”, tha Roshi.
Një banor që jeton në kompleksin 15 katësh në Durrës tregon se përveç shembjes së banesasve të cilat kanë pësuar dëme të pallogaritshme, ata kanë rënë edhe pre e vjedhjeve.
“Jetojmë në katin e nëntë. Deri në katin e 5 duhet të zvarritesh. Janë vjedhur në banesa para, bizhuteri televizor. Janë 285 familje. Edhe ata që janë të paprekur tashmë nuk futen dot. Ai që do më thotë se këtu banohet do ia fal unë shtëpinë të vijë të jetojë ai këtu. Këtu nuk ka asnjë lloj mbështetje, as një udhëzim. Janë vënë 500 shiritë.
Banorët kanë hedhur me litarë thasët me rroba. Ku janë ndërtuesit. Ku mund të jenë sot e kësaj dite. Mur pa llaç, pa mjet lidhës, pa brez betoni. Tre vite pallat i ndërtuar. Investimi i emigracionit, djersa dhe mundi janë shkatërruar këtu. Vetë ndërtuesit jetojnë në vila”, tha banori.