Kryetari i Komunës së Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, tha të shtunën në një mbledhje të jashtëzakonshme të komunës, se “muri do të largohet nga pozita në të cilën ndodhet”.

Ai tha se qytetarët “nuk kanë nevojë të frikësohen dhe as të panikojnë”, sepse “nuk ka arsye për frikë për veprime të njëanshme dhe për futjen e sërishme të njësive të posaçme të policisë së Kosovës për të larguar çfarëdo qoftë”. Rakiq iu tha këshilltarëve komunalë se “nëse gjatë ditës së nesërme fillon puna në rrënimin e strukturës aktuale të murit brenda dy ditëve të ardhshme do të fillojnë punimet në ndërtimin e një strukture të re mbrojtëse të zonës së këmbësorëve në rrugën Mbreti Petër, me qëllim që të mos lejohet hyrja e asnjë lloj automjeti”. Sipas tij, Prishtina zyrtare e ka patur këtë zgjidhje por ajo nuk ka dashur ta pranojë, siç tha, propozimin duke dashur që këtë ta zgjidhin në nivel lokal”. Rakiq tha se lartësia e strukturës së re do të jetë 70 centimetra. Komuna e Mitrovicës së Veriut mbajti të shtunën një mbledhje të jashtëzakonshme ku është diskutuar me asamblistët marrëveshja e arritur ndërmjet udhëheqjes qendrore të Kosovës dhe autoriteteve lokale të komunës në veri të Mitrovicës, lidhur me murin e ndërtuar prej shumë javësh. Marrëveshja u nënshkrua në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës ndërmjet ministrit të Kosovës për Planifikim Hapësinor, Ferat Shala, dhe kryetarit të komunës MItrovica e Veriut, Goran Rakiq. Asamblisti Bashkim Cimili nga PDK-ja ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se si do të veprohet tash pas rrënimit të murit në zonës së këmbësorëve . “Muri rrënohet dhe fillon ndërtimi i një sheshi aty, dy metra prapa murit. Në fakt [do të jetë] një lloj muri i hapur 9 metra dhe i ka disa shtylla të çelikta, të cilat funksionojnë lart-poshtë me telekomandë, do të thotë në mënyrë elektronike hapen dhe mbyllen”, tha Cimili. Nga ana tjetër, ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në Qeverinë e Kosovës, Ferat Shala, tha për Radion Evropa e Lirë se pas arritjes së marrëveshjes me palët, gjithçka do të shkojë qetë dhe natyrshëm. Qeveria Kosovës ka njoftuar se është arritur një marrëveshje për hapat që do të ndërmerren në lidhje me murin e ndërtuar në pjesën veriore të Mitrovicës. Me anë të një komunikate për media, të lëshuar nga Qeveria në orët e para të ditës së shtunë, thuhet se “gjatë ditëve të fundit dhe nën lehtësimin e Zyrës së BE-së, si dhe të Ambasadës së SHBA-së, ne, palët e përbëra nga ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferat Shala, dhe kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, jemi pajtuar që të zgjidhim çështjen, e cila lidhet me ndërtimin e murit në Mitrovicën Veriore”. Në komunikatë thuhet se është arritur “një zgjidhje, e cila do t’i ulë tensionet në veriun e Kosovës, do të ndihmojë lirinë e lëvizjes dhe do të krijojë një ambient të favorshëm për të gjithë qytetarët në veri dhe në jug të Mitrovicës”. Publiku gjatë ditëve në vijim, bëhet e ditur se do të njoftohet edhe me planin e rishikuar për zonën e këmbësorëve, e cila buron nga marrëveshja në kuadër të dialogut të BE-së, që ka të bëjë me projektin e BE-së për urën. “Ne jemi të vetëdijshëm që çështja ka shkaktuar paqartësi në periudhën paraprake, por jemi kënaqur që të gjithë ne kemi pasur një qasje konstruktive në mënyrë që të përmbyllim këtë çështje në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media. Drejtori i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka deklaruar të shtunën se përfaqësuesit e Listës Serbe gjatë natës kanë arritur marrëveshje me Qeverinë në Prishtinë rreth asaj se si të vazhdohen punimet rreth urës mbi lumin Ibër, që ndanë qytetin e Mitrovicës. Gjatë deklaratës dhënë Televizionit publik të Serbisë RTS, ai ka thënë se kjo marrëveshje do t’i zbusë tensionet dhe se ai pret që gjatë ditëve në vijim opinionit do t’i bëhet e ditur se si do të duket ajo zonë. Ai, megjithatë, ka sqaruar se përfaqësuesit e serbëve të Kosovës janë të kënaqur me marrëveshjen.Edhe ambasadorët e akredituar në Kosovë kanë mirëpritur marrëveshjen e arritur mes Qeverisë dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut. “E mirëpres marrëveshjen e nënshkruar gjatë natës së kaluar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Mitrovicës së Veriut mbi çështjen e murit. Zgjidhja e problemeve përmes dialogut dhe komunikimit, ja vlen gjithmonë”, ka shkruar ambasadori britanik, Ruairi O’Connell në Facebook. Muri në Mitrovicë ishte ndërtuar gjatë dhjetorit të vitit të kaluar nga autoritetet lokale të Mitrovicës së veriut. Por, sipas Prishtinës zyrtare, ndërtimi i këtij muri ishte ilegal, që nënkupton ndarjen e Mitrovicës dhe si i tillë kërkohej të rrënohej. Me qëndrim për rrënimin e tij ishte paraqitur edhe Kuvendi i Kosovës përmes një rezolute. Tani marrëveshja thuhet se është arritur, por nuk janë bërë të qarta të gjitha detajet se si do të veprohet.

Artikulli paraprakBASHA SULMON TELEVIZONIN E NJOHUR: GATUAN GËNJESHTRA!
Artikulli tjetërSUEDIA DO E NDALOJË NDARJEN E NXËNËSVE SIPAS GJINISË NË SHKOLLA