Ambasadorja e SHBA-së Yuri Kim dhe i delegacionit të BE-së Luigi Soreca nuk arrijnë që të bindin tre kryetarët e grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend për të votuar reformën zgjedhore që u firmos mbrëmë nga palët politike, PS, PD, LSI, por edhe përfaqësuesja e opozitës Rudina Hajdari.
Vetëm pak orë pas arritjes së marrëveshjes për Reformën Zgjedhore, Yuri Kim dhe Luigi Soreca bënë hapin e radhës për ta finalizuar duke thirrur opozitën parlamentare në rezidencën amerikane për ta bindur që të votojnë draftin konsensual në Kuvend.
Në takimin që zgjati 90 minuta paraditen e sotme ishin tre kryetarët e grupeve parlamentare, Myslim Murrizi i grupit Demokrat, Nimet Musai i grupit të Pavarur, Edmond Stojku i grupit “Demokraci dhe Drejtësi”, por edhe Rudina Hajdari, që është pjesë e Këshillit Politik që firmosi mbrëmë paktin dhe Ralf Gjoni. Rudina Hajdari ishte e para që shkoi në rezidencën amerikane, më pas ishin kryetarët e grupeve dhe Ralf Gjoni.
Pas takimit, tre kryetarët e grupeve parlamentare dolën bashkë nga rezidenca amerikane nga të cilët foli vetëm Myslim Murrizi, i cili prerë dhe qartë u shpreh se reformën zgjedhore nuk do ta votojnë pa u plotësuar kushtet e tyre, depolitizimi i administratës zgjedhore, listat e hapura dhe votën e emigrantëve.
Ndërkohë që Rudina Hajdari dhe Ralf Gjoni nuk dhanë asnjë prononcim për mediat. Rudina Hajdari e firmosi dje marrëveshjen me argumentin se mori fjalën e SHBA-së për sistemin elektoral në fazën e dytë të diskutimeve, por kryetari i grupit demokrat Myslim Murrizi dhe deputetë të tjerë nga opozita parlamentare kanë deklaruar se nuk do ta votojnë draftin, pasi sipas tyre nuk plotësoi kushtet e tyre.
Përballë faktit se në Kuvend duhen 84 vota, që shumica socialiste nuk i ka e vetme për ta miratuar dhe letrës që i dërguan pak ditë më parë, ambasadorja i dëgjoi sot përfaqësuesit e opozitës për t’i bindur për të mos kundërshtuar Reformën Zgjedhore, por nuk ia arriti qëllimit.
Skema ishte e njëjtë me atë që ndodhi përpara votimit të Reformës në Drejtësi në korrik 2016, kur asokohe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, zhvilloi takime me disa prej deputetëve të PD-së për t’i bindur që të votonin, rezultati; 140 vota pro. Ndërsa këtë herë nuk dihet nëse do të ketë një tjetër tentativë nga ndërkombëtarët apo marrëveshja do të kalojë me votën e deputetëve të tjerë në Kuvend që janë jashtë tre grupeve.