Kryetari i Këshillit nacional të shqiptarëve, Jonuz Musliu, u ka bërë thirrje shqiptarëve në komunat Bujanovc, Preshevë dhe Medvegjë, që të bojkotojnë zgjedhjet presidenciale serbe, të caktuara për 2 prill.
Ai i ka thënë Agjencisë së lajmeve Beta, se ftesa ka ardhur pasi që asnjëri nga kandidatët presidencialë në programin e tyre nuk ka treguar interesim për zgjidhjen e problemeve të shqiptarëve. Musliu, i cili është lider i Lëvizjes për Progres Demokratik, theksoi se të gjithë kandidatët në zgjedhjet për president të Serbisë janë treguar diskriminues ndaj shqiptarëve, që është edhe arsyeja për të cilën i ka bërë thirrje votuesve shqiptarë që të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ai ka bërë të ditur se deri më tash nuk është zgjidhur asnjë problem, as përdorimi i simboleve dhe ka mungesë të investimeve.