Ardhja e Shkodran Mustafit te Vllaznia duket si një ëndërr, por disa rrethana të ndryshme e lidhën së fundmi emrin e 31-vjeçarit nga Gostivari me fanellën kuqeblu. Mbrojtësi kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014 ka disa muaj pa skuadër, ndërsa prania e babait të tij në Shkodër në krah të presidentit Alban Xhaferi gjatë ndeshjes Vllaznia-Kukësi, përforcoi zërat për Mustafin që mund të vishej kuqeblu, teksa madje edhe vetë trajneri i shkodranëve, Qatip Osmani, kur u pyet për një mundësi të tillë, me përgjigjen e tij la gjithçka të hapur. Megjithatë, për të sqaruar gjithçka, ka folur vetë Kujtim Mustafi, babai i mbrojtësit, teksa sipas tij shanset për një transferim te Vllaznia të shqiptarit, duket se janë minimale.
“Unë shkoj në çdo stadium, por kjo nuk do të thotë se shkoj për të çuar djalin tim. Jam menaxher futbolli prej disa vitesh dhe kam futbollistë të tjerë që udhëheq. Nuk është se kam shkuar në stadiumin e Vllaznisë për Shkodranin. Natyrisht që, mediat mund ta lidhin emrin tim me një transferim të mundshëm të djalit, por kjo është punë e tyre. Më shumë nuk kam se çfarë të komentoj. Tani i bie që babai i Shkodran Mustafit, nuk duhet të shkojë më në stadium. Megjithatë, djali im do vijë në Shqipëri për pushime. Koha do të tregojë se çfarë do të bëjë Shkodrani. Do të presim edhe pak dhe do të vendosim”,-tha babai i Shkodran Mustafit.
Shkodran Mustafi ka luajtur 20-ndeshje me fanellën e Gjermanisë, teksa tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë ai me të ardhmen e tij, në një kohë kur ka gjashtë muaj pa skuadër.