Mbrëmjen e së shtunës në sallën koncertore të shkollës së muzikës “Prenk Jakova”, u mbajt një koncert me muzikë jazz (xhaz) nga Enzo Favatta dhe Eniko Xanizi nën shoqërinë dhe kujdesin e violinistit shkodran Eugjen Gargjola.
Artistët italian ishin të ftuar në Shkodër dhe për një javë rresht dhanë kurse master class të muzikës jazz duke transmetuar kështu talentin dhe pasionin e tyre edhe tek të rinjtë. Koncerti zgjati rreth 1 orë e 30 dhe të pranishëm ishin artdashësit e kësaj muzike si dhe njerëz të artit e kulturës në qytetin e Shkodrës. Në përfundim të koncertit violinisti Eugjen Gargjola u shpreh se ndihej i kënaqur për realizimin e këtij projekti dhe se shpreson që një iniciativë e tillë të rikthehet përsëri në qytetin e Shkodrës. Kurset një javore dhe koncerti i muzikës jazz në Shkodër u realizuan përmes bashkëpunimit të Institutit Italian të Kulturës, shoqatës “Syri Blu” dhe me mbështetjen e Bashkisë Shkodër.