Myftiu i zonës së Shkodrës imam Muhamed Sytari priti në një takim Arqipeshkëvin e Shkodrës Angelo Massafra. Në njoftimin e saj myftinia Shkodër bën të ditur se “Paraditën e së mërkurës, më 15 nëntor 2023, Myftiu i Zonës Shkodër, Imam Muhamed B. Sytari, priti Arqipeshkëvin e Shkodër-Pult, monsinjor Angjelo Massafra me bashkëpuntorë. Kjo vizitë vjen në atmosferën e begatë të përkujtimit të 33-vjetorit të rihapjes së objekteve të kultit në Shkodër dhe zhvillimit të ceremonive masive, pas periudhës së egër të ndalimit të fesë me ligj në Shqipëri.

Myftiu Sytari dhe Arqipeshkëvi Massafra ndanë bashkërisht biseda të dobishme rreth besimit, trashëgimisë kulturore, historisë dhe vlerave të lirisë dhe diversitetit. U soll në vëmendje kontributi i prijësve fetarë për edukimin e individit dhe shoqërisë me vlerat më të mira të harmonisë, solidaritetit, tolerancës dhe bashkëpunimit për të mirën e përbashkët. Këto takime mbeten dëshmi e forcimit të mëtejshëm të frymës së harmonisë në mesin e komuniteteve fetare dhe garanci e ruajtjes së traditave të lashta të bashkëjetesës në diversitet”, bën të ditur myftina në njoftimin e saj.

Nëntori është një muaj i rëndësishëm për komunitetet fetare pas me 4 nëntor 1990 u zhvillua mesha e parë në varrezat katolike të Rrmajit, më pas me 11 nëntor një meshë masive dhe më 16 nëntor u zhvillua falja e parë në xhaminë e Plumbit duke i hapur rrugë rikthimit të fesë dhe lirisë për shqiptarët pas qëndrimit për 45 vite nën sundimin e diktaturës komuniste. Këto data komunitete fetare kanë propozuar që të shpallen festë kombëtare. Ndërkohë pak ditë më parë vizita të ngjashme zhvilloi edhe myftiu i Zonës së Shkodrës Imam Muhamed Sytari teksa u prit nga drejtuesit e klerit të krishterë.

Artikulli paraprakSHKODËR, I DËNUAR PËR DROGË DHE ARMËMBAJTJE PA LEJE, ARRESTOHET 37-VJEÇARI
Artikulli tjetërBASHA VIJON TAKIMET NË PARLAMENTIN EUROPIAN