Me mijëra njerëz ishin mbledhur në Katedralen e Rouenit në Normandi, aty ku u zhvillua funerali i priftit francez, At Jacques Hamel, i vrarë në kishën e tij nga dy terroristë islamikë javën e kaluar.
Një ceremoni publike u udhëhoq nga arkipeshkvi i qytetit, ndërkohë që trupi i pajetë i At Hamelit do të prehet në banesën e fundit përmes një ceremonie private. Ministri i Brendshëm francez, Bernard Cazeneuve, si dhe klerikë të lartë të Kishës Katolike Romane ishin mes pjesëmarrësve në shërbesën mortore të priftit të ekzekutuar me prerje fyti, pasi dy terroristët kishin mësyrë kishën gjatë meshës së mëngjesit dhe kishin marrë edhe pengje. Motra e priftit, Roselyne tha përpara të pranishmëve se vëllai i saj 85-vjeçar ishte një njeri i “mëshirshëm dhe i dashur”. Ajo u shpreh gjithashtu se kishte refuzuar një pozicion oficeri, teksa kryente shërbimin ushtarak në Algjeri, pasi roli që mund të merrte do ta bënte atë t’u kërkonte vartësve të tij vrasjen e njerëzve të tjerë. “Refuzimi i tij ishte kategorik, – tha e motra e priftit. – Ai zgjodhi t’i shërbente Zotit, në mënyrë që të mund të kultivonte dashuri dhe të ndante ndjenja tolerance mes njerëzve të të gjitha besimeve dhe emërtimeve, besimtarë apo jobesimtarë, përgjatë të gjithë jetës së tij”. Roselyne tha më tej se mesazhi i At Hamelit ndaj të gjithëve do të ishte: Na mësoni sesi të jetojmë të bashkuar. Na lejoni të jepi punëtorë dhe artizanë të paqes, secili prej nesh sipas mënyrës sonë. Në predikimin e tij, Arkipeshkvi i Rouenit, Dominique Lebrun u shpreh: “Teksa pamë sesa brutale, e padrejtë dhe e tmerrshme ishte vdekja e priftit Jacques, na duhet vetëm të futemi thellë në zemrat tona për të gjetur dritën”. Ai bëri thirrje për falje, duke cituar një tekst testamenti që bënte fjalë për dashuri ndaj fqinjëve. Myslimanë dhe hebrenj morën pjesë gjithashtu në këtë ceremoni në shenjë solidariteti. Agresorët, Abdel Malik Petitjean dhe Adel Kermiche, të dy 19-vjeçarë, i kishin premtuar besnikëri të ashtuquajturit Shtet Islamik, përpara se të kryenin aktin makabër dhe më pas të qëlloheshin për vdekje nga policia pasi kishin marrë pengje në kishë. Një kushëri i Petitjeanit u arrestua të hënën me dyshimet se kishte dijeni mbi sulmin e ndërmarrë. Një tjetër person u vu nën hetime zyrtare, teksa kishte tentuar të udhëtonte drejt Sirisë së bashku me Petitjeanin. Sulmi ndaj At Hamelit në vendin e kultit shokoi Francën, pasi erdhi vetëm pak ditë pas sulmit në Nicë gjatë Ditës së Bastijës, ku mbetën të vdekur 84 persona të tjerë.