PËRFUNDON PROJEKTI, MINISTRIA E ARSIMIT KA KONFIRMUAR FONDIN. Shkolla 9-vjeçare e fshatit Naraç e Bashkisë Vau Dejës shumë shpejt do të nisë të rikonstruktohet. Ajo shkollë këtë vit shkollor ka shfaqur probleme të mëdha.
Kudo në klasa në ndërtesën tre-katëshe ka nisur që të bie sovatimi duke rrezikuar edhe jetën e vetë nxënësve. Duke parë këtë situatë të shkollës, drejtoria rajonale e arsimit është vënë menjëherë në lëvizje. Pas inspektimit të drejtores rajonale Afërdita Haka pak ditë më parë bëhet e ditur se menjëherë është bërë një projekt emergjent për rikonstruksionin e shkollës së Naraçit. Ky projekt është kërkuar në mënyrë të shpejtë nga Ministria e Arsimit dhe pas përfundimit të tij drejtoria rajonale e ka dërguar atje. Duke parë situatën në të cilën ndodhet ministrja Lindita Nikolla ka dhënë miratimin e saj për akordimin e fondit për atë projekt. Në këtë mënyrë menjëherë pas procedurave të nevojshme pritet që për shkollën 9-vjeçare të Naraçit të nisë rikonstruksioni. Punimet pritet që të nisin javën e ardhshme në rast edhe kushtet atmosferike janë të favorshme. Në të kundërt reshjet e shiut mund të jenë një pengesë dhe mund të bëjnë që nisja e punimeve të shtyhet për pak ditë. Në shkollën 9-vjeçare të Naraçit bëjnë mësim nxënës që vijnë nga tre fshatra të ndryshëm, Mali i Rrëzuar, fshati Kaç dhe Naraç duke bërë që në total numri i fëmijëve që bëjnë mësim aty të jetë i konsiderueshëm. Para pak ditësh nxënësit e asaj shkolle protestuan sepse reshjet e shiut përfundonin brenda klasave, shqetësim i përcjellë përmes “Star Plus” i cili tashmë pritet të marrë një zgjidhje të shpejtë.