Skuadra e Arsenalit ka evituar një eliminim të parakohshëm nga Liga e Kampioneve, duke mundur 3-0 Dinamon e Zagrebit për të mbetur përsëri në garë. Skuadra e Venger kishte vështirësi në fillimin e ndeshjes, por golat e Ozil dhe Sançez në pjesën e parë bënë gjithçka më të thjeshtë për anglezët.
Tashmë atyre u duhet të fitojnë me dy gola diferencë në takimin e fundit kundër Olimpiakos, për të siguruar një vend në turin tjetër të turneut. Për këtë mundësi që u është dhënë, “topçinjtë” duhet të falënderojnë edhe Bajern Mynih, i cili dha maksimumin ndaj Olimpiakosit duke shkatërruar ekipin grek me shifrat 4-0, falë një pjese të parë të jashtëzakonshme ku miqtë rrallëherë kaluan gjysmën e fushës. Golat e Kosta, Levandovski, Myler dhe Koman i mundësuan ekipit bavarez që të kalonte turin si fitues i Grupit F.Në fazën me eliminim direkt, si fituese e Grupit E, ka kaluar edhe Barcelona, e cila ka dhuruar spektakël përballë Romës. Në “Kamp Nou”, katalanasit janë treguar të pamëshirshëm, duke krijuar e konkretizuar aksione spektakolare në goleadën e thellë 6-1 përballë ekipit italian. Protagonist i ndeshjes ishte Lionel Mesi, i cili tregoi me dy golat e tij se kishte lënë plotësisht pas dëmtimin. Por gjithçka nuk ishte e errët për Romën në këtë ditë. Humbja nuk rezultoi fatale, pasi barazimi mes BATE Borisov dhe Bajer Leverkusen në sfidën tjetër të grupit, lë gjithçka të hapur për kualifikimin e mëtejshëm, meqë ekipi italian dhe ai gjerman janë të dy në kuotën e 5 pikëve.