Në një mbrëmje plot emocione, katër boksierët shkodran të boksit profesionist Armando Grishaj, Senad Drini, Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa triumfuan në “Natën e kampionëve”, i zhvilluar në Shkodër. Në peshën 72 kilogram shkodrani Armando Grishaj fitoi me nokaut ndaj boshnjakut David Romanik. Më pas në peshën 76 kilogram Senad Drini fiton ndaj anglezit Kearon Thomas. Viktor Mihailoviç i Malit të Zi fitoi ndaj Aleksa Kesiç nga Bsonje Hercegovina në peshën 91 kilogram. Në fund u zhvilluan dy ndeshjet që sollën entuziazëm.
Arjon Kajoshi në peshën 79 kilogram fitoi përballë bjellorusit Aliaksnder Dzemka. Kajoshi pasi mori fitoren e pestë në boksin profesionist shpreson që në të ardhmen të sigurojë fitimin e një titulli.
Ndeshja e fundit e mbrëmjes ishte ajo mes Nelson Hysës dhe boksierit nga Çekia Pavel Sour. Sfida e peshës së rëndë +91 kg u fitua nga shkodrani Hysa i cili thotë se në të ardhmen pret disa projekte edhe më të mëdha.
Trajneri i boksierëve shkodran Zef Gjoni vlerëson fitoret por nga ana tjetër shprehet se organizimi i aktiviteteve të tilla të mëdha është i vështirë për shkak se nevojiten sponsorizime që mungojnë.
Përpara ndeshjeve profesioniste, ndeshja e parë u zhvillua në boksin amator mes Bekim Vjerdhës të Vllaznisë dhe Redis Karaj të Studentit, e cila u fitua nga boksieri shkodran Vjerdha. “Nata e Kampioneve” u mundësua nga Unioni i Boksit Shqiptar ndërsa pjesë e organizimit është edhe boksieri Nelson Hysa.