Vendet anëtare të NATO-s do të nisin stërvitjen e tyre ajrore më të madhe ndonjëherë për të testuar gatishmërinë e tyre në rast të një konflikti në Evropë. Rreth 250 avionë ushtarakë nga 25 vende, përfshirë SHBA -në , Gjermaninë dhe Turqinë, do të marrin pjesë në stërvitjen “Air Defender 23”, njoftuan autoritetet të premten. Avionët luftarakë do të kryejnë manovra mbrojtëse në hapësirën ajrore gjermane dhe evropiane nga 12 deri më 23 qershor. Piloti luftarak turk, kolonel Ersin Özmen tha për Anadolu se Forcat Ajrore Turke do të marrin pjesë në stërvitje me tre avionë F-16 dhe mbi 50 personel ushtarak.
“Objektivi i Air Defender 23 është të përmirësojë ndërveprimin dhe bashkëpunimin midis forcave të aleatëve të NATO-s,” tha ai në një ngjarje në bazën ajrore Schleswig-Jagel.
Shefi i Forcave Ajrore Gjermane, gjenerallejtënant Ingo Gerhartz u tha gazetarëve se të gjitha përgatitjet kanë përfunduar.
“Forcat nga 25 vende janë gati të nisin këtë stërvitje ushtarake të hënën”, tha ai.
Gjatë stërvitjes, avionë nga aleatët e NATO-s dhe vendet partnere do të vendosen në baza të ndryshme ajrore në të gjithë Gjermaninë. SHBA ka dërguar mbi 100 avionë dhe 2000 personel ushtarak në Gjermani për stërvitjen.