I bëj thirrje partive politike që të përmbahen nga retorika e cila sugjeron ndarje dhe nxit tensione ndëretnike.
Kjo është përgjigja e Sekretarit Gjeneral të NATO-së, Jens Stoltenberg, ndaj letrës së Presidentit të shtetit Gjorge Ivanov, dërguar më 7 mars. Stoltenberg në letrën thotë se liderët politik në Maqedoni duhet të fokusohen në zbatimin e Marrëveshjes së Përzhinos si kornizë për zgjidhjen e krizës politike. “Zgjedhjet e 11 dhjetorit ishin hap esencial drejt zgjidhjes së rkizës. NATO nuk përzihet në proceset e brendshme të Maqedonisë, e as nuk merr anë.
Por, interesi ynë është që të respektojmë vlerat politike dhe principet në të cilat bazohet Aleanca. Liderët politik në Shkup duhet të respektojnë rezultatin e proceseve demokratike dhe në afat sa më të shkurt të kontribuojnë në formimin e një qeverie funksionale dhe efektive e cila do të vazhdoj me reformat urgjente”, shkruan Stoltenberg. Stoltenberg rikujton se anëtarët e NATO-së në takimin më 14 mars kanë shfaqur shqetësim serioz për situatën politike dhe apelojnë që të gjithë partitë të përmbahen dhe të respektojnë sundimin e së drejtës. “Nga Ju president dhe nga gjithë partitë politike pres që të respektoni Kushtetutën dhe normat demokratike”, shkruan Stoltenberg në letrën dërguar deri te Ivanovi më 27 mars.