Kompozitori i njohur shqiptar Kozma Lara është ndarë nga jeta në moshën 87-vjeçare. Lajmin për vdekjen e tij mbrëmjen e kaluar e ka dhënë akademiku Vaso Tole.

Kozma Lara ka lindur më 4 Janar 1932 në Durrës.

Ndër figurat muzikore me përmasa kombëtare e ndërkombëtare të gjysmës së dytë të shekullit XX në Shqipëri, krahas një numri kompozitorësh, si:Çesk Zadeja, Tish Daija, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, etj., një vend të merituar zë pa dyshim edhe kompozitori i shquar shqiptar, Kozma Lara.

Kompozitori shqiptar me kombësi arumune, Kozma Lara, qysh në moshë fare të re, iu përkushtua tërë energji muzikës, duke u diplomuar për piano në Liceun Artistik “Jordan Misja”. Disa vite më vonë, pianisti i ri,

i cili ushqente ëndrra të mëdha për të ardhmen e tij, fatmirësisht, pati mundësinë që të studiojë për kompozicion në Konservatorin “Pjetër Iliç Çajkovki” të Moskës.

Mirëpo, për shkak të faktorëve politiko-shtetërorë të kohës, ai i përfundoi studimet e larta muzikore për kompozicion në Tiranë, pranë ish-Institutit të Lartë të Arteve të Shqipërisë, sot Universiteti i Arteve.

Kozma Lara është autor i shumë krijimeve muzikore: kuartete, trio, romanca, rapsodi etj, si dhe ka krijuar shumë këngë për fëmijë. Ka qenë President i Shoqatës muzikore “Tonin Harapi”, i festivalit të përvitshëm të Romancës Shqiptare dhe anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Artistëve dhe kompozitorëve të Shqipërisë.

POSTIMI I TOLES

Me dhimbje ndajmë në këtë orë të vonë, lajmin e ndarjes nga jeta të prof. Kozma Lara (1932-2019).

Homazhet në nderim të Tij do të mbahen nesër në hollin e Universitetit të Arteve, ditën e shtunë, datë 19 janar 2019, nga ora 11.00-12.00.
I paharruar do të mbetesh profesori ynë! 😓

Artikulli paraprakPREZANTOHET PROJEKTI PËR KAMPUSIN UNIVERSITAR, RAMA E VELIAJ NË QYTET STUDENTI
Artikulli tjetërRONALDO NË GJYQ TË MARTËN PËR MASHTRIM TATIMOR