Mëngjesi i 19-gushtit ka sjellë një lajm shumë të dhimbshëm. Një nga emrat e mëdhenj të volejbollit shkodran dhe atij shqiptar, Gjino Mjeda, është ndarë nga jeta në moshën 67-vjeçare. Ai kishte disa kohë që luftonte me një sëmundje të rëndë, të cilën nuk arriti ta mposhtte, duke i dhënë lamtumirën e fundit familjes dhe të gjithë shokëve e miqve të tij mëngjesin e 19-gushtit. Po kush ishte Gjino Mjeda? Ai nisi të merrej me volejbollin që fëmijë, ku më pas spikati edhe me ekipin e parë dhe ra në syrin e trajnerëve të ekipit të Vllaznisë, duke luajtur si shooter.
Gjino Mjeda kishte një përgatitje të shkëlqyeshme fizike, ku dallohej për kërcyeshmërinë e tij të lartë dhe teknikën që zotëronte në lojë. Ai luajti për 18-vite me rradhë me ekipin e Vllaznisë. Një rekord më vete ky për pozicionin e tij, sepse do të luante në nivele të larta deri në fund të karrierës. Me ekipin e Vllaznisë, Gjino Mjeda fitoi tre Kupa Republike. Ai u grumbullua edhe në Kombëtare, por për biografi të keqe nuk u lejua të dalë jashtë Shqipërisë asnjëherë.
Gjino Mjeda do të mbahet mend gjatë si një nga volejbollistët më të mirë jo vetëm të Shkodrës, por edhe të gjithë Shqipërisë. Ai është nderuar edhe me titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i Republikës. Me rastin e ndarjes së tij nga jeta, televizioni “Star Plus” i shpreh familjes Mjeda ngushëllimet më të sinqerta dhe poashtu edhe komunitetit të volejbollit shkodran që humbi një pjesëtar dinjitoz të tij.