Viti 2023 ka nisur me një lajm të hidhur për futbollin shkodran. Është ndarë nga jeta në mënyrë të parakohshme një nga tifozët e zjarrtë të Vllaznisë, Edmond Spathari. Ai kishte disa kohe që ishte i sëmurë dhe si rrjedhojë nuk mundi t’i rezistonte më. Lajmin e kanë bërë të ditur disa tifozë të tjerë kuqeblu të cilët kanë shprehur keqardhjen e madhe për humbjen e njërit prej tyre. Mondi në fakt ka qenë një nga tifozët që si pak kush nuk ka munguar në asnjë stadium të Shqipërisë për të mbështetur Vllazninë në çdo ndeshje të saj. E ka bërë këtë gjë deri përpara pak ditësh, si për të thënë se jeta e tij nuk kishte kuptim pa skuadrën e zemrës. Skuadër për të cilën ka shpenzuar jo pak edhe nga ana financiare sepse udhetimet e shumta në çdo cep të Shqipërisë dhe flamujt e shumtë që ka bërë për t’i shpalosur në stadium, i kanë kushtuar.
Mondi iku i ri, vetëm 55 vjeç dhe padyshim që keqardhja është e madhe. Ai ka qenë në stadium edhe kur Vllaznia luante në Kategorinë e parë sepse nuk dëshironte për asnjë moment ta braktiste atë duke dhënë shembullin e një tifozi të vërtetë. Edmond Spathari do t’i mungojë shumë stadiumeve tona e aq më tepër ekipit të Vllaznisë. Mondi ishte organizator për shumë vite me radhë i tifozëve kuqeblu duke i nxitur ata që të brohorasin për çdo gol apo edhe për çdo sukses të Vllaznisë. Një jetë të tërë Mondi, tifozi model ia kushtoi sportit dhe ekipit të tij të zemrës. Vllaznia për të ishte mbi gjithçka.
Përveçse një tifoz model, Mondi diti të respektojë edhe tifozët e qyteteve të tjera kur vinin në Shkodër duke i respektuar jashtë fushës e duke qenë një mik i mirë me shumë prej tyre. Star Plus Tv i shpreh ngushëllimet familjes, tifozëve shkodran dhe ekipit të Vllaznisë për humbjen e tifozit të veçantë që e deshën të gjithë.