Ridvan Gjeçaj, sportisti kampion, inxhinieri i talentuar i hidroteknikës, intelektuali e qytetari model i Shkodrës u nda nga jeta në moshën 60-vjeçare. Pas një sëmundje që e mundonte vitet e fundit, Gjeçaj mësohet se ka ndërruar jetë. Ridvan Gjeçaj është një personalitet i shumëanshëm në Shkodër dhe rang kombëtar me një kontribut të madh në fushën e sportit por edhe si inxhinier i hidroteknikës. Gjeçaj lindi në Shkodër më 18 shkurt të vitit 1963 dhe me notin do të lidhej që në moshë të vogël. Pasi spikati në moshë të re, Gjeçaj nisi studimet në Tiranë për inxhinieri dhe atje iu bashkua ekipit të Studentit si notar duke qenë në një skuadër me emra të mëdhenj të sportit të asaj kohe duke fituar edhe disa tituj kampion. Pas përfundimit të studimeve të larta, Gjeçaj do të kthehej në Shkodër dhe do të bëhej pjesë e ekipit të Vllaznisë sërish.

Në ato vite Vllaznia drejtohej nga trajneri i madh Shuajp Mehmeti ndërsa në përbërje kishte notar shumë të mirë, kampion të padiskutueshëm. Pas përfundimit të karrierës si sportist, Ridvan Gjeçaj nis punën si trajner pranë klubit Vllaznia, pikërisht në vitin 1989. Vllaznia e atyre viteve do të shpallej disa herë kampione e vendit. Ridvan Gjeçaj vazhdoi të bënte punën e trajnerit deri në vitin 2009. Vllaznia do të shpallej 6 herë kampione e vendit nga viti 1989 dhe 1995 dhe po ashtu ka fituar edhe 6 herë Kupën e Republikës në këto vite si dhe ka fituar 6 herë kupën “Pavarësia”. Gjatë kohës që ai ka qenë trajner i Vllaznisë, sportistët e tij kanë thyer plot 65 rekorde kombëtare.

Ka qenë gjithashtu edhe trajner i ekipit kombëtar për disa vite me rradhë duke u shpallur edhe trajneri i shekullit në 2019-ën. Gjeçaj ka patur fatin të jetë i ftuar në të parin Kongres Botëror për trajnerët të zhvilluar në Singapor në vitin 2007, aty ku zhvilloi bisedime me presidentin e FINA-s të cilit i kërkon mbështetje financiare për notin shqiptar apo dhe trajnime të ndryshme për trajnerët në mënyrë që niveli i tyre të rritej.

Përveç sportit dha një kontribut të madh edhe në fushën e inxhinierisë hidroteknike. Nga duart e Gjeçaj janë zhvilluar shumë projekte në veriun e Shqipërisë ndërsa shpesh herë ka qenë një zë kritik duke mos lejuar as abuzimet e projekteve të ndryshme të cilat në disa raste i ndaloi falë argumenteve të tij teknike e shkencore në mbrojtje të Shkodrës dhe veriut. Star Plus TV i shpreh ngushëllime familjarëve për humbjen e njeriut të tyre të dashur.

 

Artikulli paraprak“MËHALLA E RE” NË SHKODËR, LAGJIA MES GROPAVE ME UJË
Artikulli tjetërUKSH AKTIVITET NDËRGJEGJËSUES PËR RUAJTJEN E UJIT