Policia e Shtetit ka vijuar me kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën.
Në qytetin e Durrësit, Krujës dhe Shijakut u kontrolluan 34 dyqane, supermarkete dhe pika shumicash dhe si rezultat i kontrollve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla apo fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.
Kontrolle u zhvilluan edhe në lidhje me elementët e sigurisë me të cilat duhen të jenë të pajisura subjektet tregtare si p.sh.: kamerat e vëzhgimit apo fikëset e zjarrit.
Që prej fillimit të planit të masave kundër kapsollave 3 subjekte tregtare dhe 2 pronarë dyqansh janë dërguar në Prokurori. Përgjatë kontrollit të ushtruar në më pak se një javë, kanë kaluar në filter 1136 subjekte tregtare (dyqane, markete, supermarkete, tregje të shumicës).
Ndalimi i kapsollave bëhet pas urdhërit të Ministrisë së Brendshme ku ndalohet importi dhe tregtimin e kapsollave. Në këtë mënyrë marrin fund shpërthimet dhe plagosja e qytetarëve nga kapsollat, sidomos përgjatë ditëve të ndërrimit të viteve.
Ky kontroll i territorit për heqjen nga tregu të materialeve piroteknike, që përdoren masivisht në festat e fundvitit, vjen pas plagosjes së polices Ina Nuka gjatë protestës së banorëve të “Astirit” tek parlamenti; dëmtimit në gishta që ajo pësoi pas sulmit nga një kapsollë.
Njoftimi i plotë:Durrës
Vijojnë kontrollet në dyqane dhe pika shumicash në bazë të planit të masave për parandalimin dhe sekuestrimin e kapsollave dhe lëndëve piroteknike me rrezikshmëri për jetën.
Në qytetin e Durrësit , Krujës dhe Shijakut u kontrolluan 34 subjekte të ndryshme ( dyqane, supermarkete dhe pika shumicash).
Si rezultat i kontrolleve deri më tani nuk janë konstatuar kapsolla apo fishekzjarre që dyshohet se kanë në përbërje lëndë shpërthyese me rrezikshmëri për jetën.
Gjithashtu kontroll u ushtrua edhe në lidhje me elementët e sigurisë me të cilat duhen të jenë të pajisura subjektet tregtare siç janë kamerat e vëzhgimit apo pajisja me fikëse zjarri.
Policia e Shtetit fton qytetarët për të denoncuar çdo rast të tregëtimit të lëndëve të mësipërme në numrin pa pagesë 112 apo në aplikacionin “Komisariati Dixhital”.