10 emigrantë sirianë janë ndaluar këtë të premte në Shkodër dhe Malësi të Madhe. 7 sirianë janë ndaluar pranë lulishtes në qendër të qytetit të Shkodrës, në afërsi të xhamisë Ebu Beker, ndërkohë 3 të tjerë si edhe drejtuesi i mjetit që po i mundësonte transportin janë ndaluar në Malësi të Madhe.
Sirianët mendohet se kanë hyrë në mënyrë ilegale në Shqipëri përmes kufirit të gjelbër nga Greqia, me destinacion vendet e Bashkimit Evropian.
Gjatë pesë muajve të parë të vitit që lamë pas u raportua se mbi 1600 emigrantë nga Siria kanë kërkuar azil në vend, numër ky dyfish më i lartë se i gjithë viti 2017.
Megjithatë, krahasuar me vendet e rajonit, Shqipëria vijon të ketë numrin të ulët të emigrantëve ilegalë, të cilët vijnë kryesisht nga vendet në konflikt.