Presidenti i Republikës Ilir Meta, me anë të një statusi në “Facebook” ka përcjellë një mesazh ngushëllimi, për ndarjen nga jeta të shkrimtarit Haslli Haliti.

Meta shprehet se Haliti ishte shembull qytetarie dhe një luftëtar i palodhur. Kreu i Shtetit shton se e ka njohur Halitin nga afër, kur ky i fundit ishte deputet i Partisë Socialiste.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj.

Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve.

Të paharruara kanë mbetur për mua vargjet e një prej poezive të tij më të arrira “Për mirë”:

“Gati

Për rënie,

Për shembje,

Rrëzim.

Monument shtrembës!

Shembu, rrëzohu më mirë!”

Për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Haliti, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve e shkrimtarëve shqiptarë.

U prehtë në paqe!

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, GRUAJA DENONCON BASHKËSHORTIN PËR DHUNË, 48-VJEÇARIT I GJEJNË NJË ARMË GJAHU DHE 252 FISHEKË
Artikulli tjetërPËRPLASJET E ASHPRA NË DETIN MESDHE/ BE-JA DËNON “PROVOKIMET” E TURQISË