Sali Berisha i është bashkuar protestës para Gjykatës së Lartë, ku po mbahet gjyqi për vulën e PD. Gjatë fjalës së tij në podiumin e improvizuar, Berisha u ndal te kërkesa e SPAK për masën ‘arrest shtëpie me mbikëqyrje policore’, duke thënë se armiqtë tij mendojnë se duke i bllokuar komunikimin, do ta pengojnë atë nga kritikat dhe sulmet ndaj qeverisë.
Berisha tha se ndonëse po e burgosin në mënyrë të padrejtë, kjo nuk është betejë e tij, por për demokracinë e shqiptarëve.
“Duke më hequr të drejtën e komunikimit mendojnë se do shpëtojnë nga kritikat dhe sulmet e merituara… Miqtë e mi, sot duhet të kërkojmë vëmendjen e çdo shqiptari, sepse kur gjykata përdoret si armë kundër opozitës, kjo është diktaturë. Kur i konfiskohet hapur logo dhe vula, dhe kërkohet t’i jepet një personi që është krahu i Ramës, kjo është diktaturë. Shqiptarë zgjohuni se po ndodh ajo që ka ndodhur në Rusi, Bjellorusi… jo diktaturë si ato të vjetrat me kampe përqendrimi, por diktaturë moderne me gjykata që burgosin opozitën. Kjo nuk është betejë e Berishës, ndonëse unë po burgosem në mënyrë të padrejtë, kjo është betejë për lirinë e shqiptarëve”, tha Berisha.