Ndërhyrja emergjente për shpëtimin e Urës së Zogut është drejt përfundimit.Konfirmimi ka ardhur nga Zëvendësministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Lira Pepa, e cila ju përgjigj shqetësimit të Deputetit të Partisë Socialiste në Lezhë Eduard Ndreca gjatë mbledhjes së Komisionit të Edukimit dhe Mjetet e Informimit Publik.
Ura e Zogut mbi Lumin Mat është ndërtuar në vitin 1927 dhe gëzon statusin e Monumentit të Kulturës së kategorisë së parë. Ajo është e veçantë për shkak të harqeve të saj, ndërsa në kohën e ndërtimit, ka qenë një prej rrugëve kryesore që lidhnin Shqipërinë e Mesme me atë të Veriut.
Por nga vërshimi i ujit dhe shfrytëzimi pa kriter i Lumit Mat për inerte, vitet e fundit ky monument pësoi dëmtime të shumta duke rrezikuar shembjen e plotë, çka detyroi qeverinë shqiptarë që të miratoi një fond emergjent për shpëtimin e saj, me vlere rreth 460 milione lek të vjetra.