Ditët e fundit ura e vjetër e Bunës nisi të dëmtohej sërish për shkak të amortizimit të dërrasave. Pas këtij shqetësimi të qytetarëve të cilët kalojnë çdo ditë aty, ura e vjetër e Bunës u bllokua për t’iu nënshtruar një ndërhyrje emergjente për riparimin e saj. Sipas burimeve ky rikonstruksion emergjent është bërë me ndërmjetësimin e kryetarit të zgjedhur të bashkisë Shkodër Benet Beci i cili pritet që pas pakohësh të marrë detyrën. Në këtë mënyrë pas kërkesës pranë drejtorisë rajonale të trashëgimisë kulturore një grup specialistësh si dhe ekspertë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë nisur punën për të riparuar defektet e krijuara në urën e vjetër të Bunës e cila është një objekt i shpallur Monument Kulture.

Ministria e Mbrojtjes ka siguruar bazën e nevojshme materiale si dhe ndërhyrjen në këtë objekt të rëndësishëm aq më tepër në këtë kohë kur lëvizja në urën e vjetër të Bunës është shumë më e madhe për shkak edhe të sezonit turistik dhe numrit të lartë të turistëve që vizitojnë lumin Buna apo liqenin e Shkodrës në Shirokë dhe Zogaj. Në këtë mënyrë grupet e punës janë duke ndërhyrë në gjithë gjatësinë e urës së vjetër të Bunës në mënyrë që punimet të përfundojnë sa më shpejt.

Pritet që brenda tri ditëve, në këtë objekt të mundësohet sërish lëvizja e qytetarëve duke mos qenë më një rrezik për ta pas riparimit të dërrasave. Kjo është një ndërhyrje momentale për të shmangur rrezikshmërinë por sipas burimeve pritet që në vazhdimësi të ketë një projekt më të mirëmenduar dhe afatgjatë për rikonstruksionin e plotë të urës së vjetër të Bunës e cila vitet e fundit është dëmtuar ndjeshëm në shumë pjesë të saj. Pritet që projekti të përfshijë ndërhyrjen edhe për platformat metalike të cilat janë amortizuar dhe të dëmtuara në shumë pjesë si dhe kolonat prej betony për të ofruar sa më shumë siguri dhe për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Ura e vjetër e Bunës është një objekt i rëndësishëm për shkodranët jo vetëm për vlerat historike që ka por edhe për faktin se çdo ditë aty kalojnë një numër i lartë qytetarësh që duke shtuar edhe turistët gjatë verës ky numër bëhet shumë më i madh.

Artikulli paraprakNIS FESTIVALI I FILMIT “EKRANI I ARTIT”
Artikulli tjetërLEZHË, FËMIJËT FESTOJNË 1 QERSHORIN