E lënë në harresë prej kohësh, rruga Shkodër-Velipojë ka nisur që të mirëmbahet.
Autoriteti Verior i Rrugëve ka kontraktuar një firmë për mirëmbajtjen dhe prej ditësh gropat në atë segment po riparohen në mënyrë që udhëtimi për turistët vendas dhe të huaj të jetë më i mirë. Vlera totale në dy vite për mirëmbajtjen e rrugës Shkodër-Velipojë por edhe asaj të Shirokës është rreth 54 milion lekë të reja. Gjithsesi inxhinieri pranon se këto punime vetëm përmirësojnë situatën për momentin sepse rruga Shkodër-Velipojë kërkon një investim total. Sezonin e kaluar amortizimi i rrugës së Velipojës krijonte probleme për turistët dhe pushuesit dhe me anë të kësaj ndërhyrje synohet një përmirësim i infrastrukturës në shërbim të atyre që do zgjedhin Velipojën për pushime.