Ndërmjetësimi i konflikteve, 10 mijë raste në katër vite

Gjatë katër viteve, rreth 10 mijë persona kanë preferuar të mos u drejtohen gjykatave për të zgjidhur konfliktet e tyre, por t’i zgjidhin përmes ndërmjetësimit. Bëhet fjalë për mosmarrëveshje të tilla që nga mosrespektimi i kontratave të punës, për markat tregtare, deri tek çështjet me të dëmtuar akuzues kryesisht për veprën e shpifjes dhe rrahjes. “Janë të pronave që janë me shumicë, pastaj për çështje tregtare, pune dhe civile. Ne jemi pjesë e Kodit të Procedures Civile dhe gjykatat duhet t’i orientojnë palët tek ndërmjetësimi para se të nisë procesi”, thotë Drita Avdyli, kryetare e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit. I tillë është edhe rasti i Anës nga Gjirokastra, e cila nuk iu drejtua gjykatës për të njohur atësinë e vajzës, që refuzohej nga babai biologjik. Me vullnetin e saj, gruaja ka kërkuar ndërmjetësimin me ish-partnerin, i cili është bindur pas një letre të shkruar nga e bija. “Pesë rreshta bënë që kjo gjë të zgjidhej me ndërmjetësim. Vajza i shkruante të atit të lutem më prano”, thotë Drita Avdyli. Alarmi i Gjykatës së Lartë Duke theksuar ndërmjetësimin si një nga alternativat që ndikojnë në uljen e fluksit të çështjeve në gjykatat shqiptare, kryetari i Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori kujton se aktualisht stoku i dosjeve që presin për t’u gjykuar ka mbërritur në 19 mijë, prej të cilave 12 mijë janë civile. Në kushtet kur po vonohet ngritja e organeve të reja të qeverisjes gjyqësore, zoti Zaganjori sjell shqetësimin e funksionimit të kësaj gjykate pa kapacitetin e plotë. “Jemi 14 nga 19 gjyqtarë që duhet të jemi. Nga ana tjetër, 7 prej tyre u ka mbaruar mandati, kështu që jemi në një situatë jashtëzakonisht shumë problematike. Ne kemi trajtuar në vetëm një vit 8 mijë dosje”, thotë Zaganjori.

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 200 KG KANABIS NË IGUMENICË, NË PRANGA 3 SHQIPTARË
Artikulli tjetërKANABISI, DEMIRAJ NË INSPEKTIM AJROR; ASNJË RAST KULTIVIMI MASIV