Me rifillimin e procesit mësimor do të nisë edhe zëvendësimi I orëve mësimore të humbura gjatë dy javëve të fundit.
Drejtoria Arsimore Rajonale në Shkodër po bën gati planin e masave për zëvendësimin e 50 orëve në shkollat 9-vjecare dhe të mesme të Shkodrës. Që nga dita e hënë të gjitha drejtoritë e shkollave do të fillojnë të paraqesin planin e zëvendësimit me një orë shtesë në ditë. Aktualisht kanë mbetur edhe 19 javë mesimi dhe për inspektorët e drejtorisë arsimore janë të mjaftueshme.
50 orët e humbura mund të zëvendësohen brenda 10 javëve. Orët shtesë do të fillojnë që nga java e ardhshme, ndërsa zbatueshmëria e tyre do të ndiqet përmes monitorimit nga Drejtoria Arsimore. Procesi mësimor në të gjitha institucionet mësimore u ndërpre për 8 ditë në të gjithë vendin si pasojë e situatës gripale dhe të ftohtit që përfshiu rajonin. Të hënën pritet të rifillojë normalisht mësimi në të gjitha institucionet mësimore.