Prurjet e reshjeve gjatë dhjetorit kanë bërë që të tre hidrocentralet publike në Shqipëri të fillojnë prodhimin e energjisë elektrike.
KESH po prodhon rreth 50% më shumë energji se javët e fundit të nëntorit dhe OSHEE ka ndalur blerjen me çmime marramendëse në tregjet e huaja.
Edhe pse nuk po blihet më jashtë, bizneset pas 1 janarit pritet ta marrin energjinë me çmim tregu, që referencën e ka te bursa hungareze, sepse ajo shqiptare nuk është ende aktive.
Pavarësisht reshjeve, eksperti Lorenc Gordani shprehet se shteti nuk mund të vazhdojë me subvencionimin për bizneset
“Nëse ne shikojmë dhe vazhdojmë ti mbështesim kompanitë pa ndryshuar asgjë, atëherë do duhet që në dy vitet e ardhshme të gjithë ato para të dalin nga buxheti i shtetit, siç po ndodh aktualisht, që janë vënë garanci 200 milionë euro për furnizimin e energjisë.
Bizneset, së pari duhet të jenë të interesuar për shëndetin e OSHEE, sepse do të thotë që kompania ka kapital, bën investimet e nevojshme, zhvillon rrjetin, i përgjigjet me lidhje të reja dhe e gjitha kjo është ajo që duhet të kërkojë biznesi.
Subvencionimi pastaj është diçka që i përket së kaluarës, ne mezi po i shkëputemi pas 30 viteve, sektori energjetik nuk mund të vazhdojë si në vitet 90, prandaj duhet të hyjë në atë që quhet optika e tregut. ”
Pas 1 janarit bizneset do kenë mundësinë që të gjejnë furnizues privatë, ku ERRE ka listuar plot 26 kompani të licencuara. Nëse nuk arrijnë të firmosin një kontratë me ato, atëherë OSHEE i jep mundësinë që ta marrin po nga ta, por me çmim që përcaktohet çdo muaj duke llogaritur kostot. Momentalisht çmim në treg të lirë është 32 lekë Kw/h, trefish më i shtrenjtë se ai aktual