Greva e urisë e nisur ditën e djeshme në qytetin e Shkodrës nga disa banorë që kërkonin dëmshpërblime për shkak të përmbytjeve në vitet 2010-2011 është ndërprerë pas ndërhyrjes së kreut të bashkimit të pavarur të sindikatave Albert Tukaj.
Sipas te dhenave behet me dije se greva e urisë u ndërpre rreth orës 3:20 të mëngjesit të sotëm. Tetë banorë të zonave të përmbytura në vitet 2010-2011 në Shkodër nisën grevën e urisë, duke kërkuar dëmshpërblimet. Ata qëndruan për disa orë duke negociuar me policinë për të ngritur një çadër për zhvillimin e grevës së urisë, por nuk u lejuan. Rreth orës 12 të mesditës së ditës së djeshme ata vendosën që grevën e urisë ta nisin në stolat pranë institucionit të prefektit, duke deklaruar se nuk do të largohen që andej pa iu plotësuar kërkesa. Banorët që hynë në grevë urie ishin: Gjon Lasku, Pal Marku, Frrok Kola, Lush Ndoci, Arben Kola, Mhill Guri, Skënder Mhilli dhe Dritan Ndreu. Ata kishin dorëzuar më herët në polici kërkesën për lejen për zhvillimin e grevës së urisë, çka iu refuzua.