Seanca e sotme plenare ka nisur me përplasje mes deputetëve të opozitës dhe kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Ruçi i ndërpreu fjalën deputetes Albana Vokshi, pasi sipas tij ajo nuk iu përmbajt procedurës, ndërsa kryetari i Grupit Parlamentar të PD i kërkoi t’i kthente fjalën. Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho: “Zoti kryetar, veprimi juaj nuk është në përpushje me rregulloren, askush nga ne këtu nuk është në gjendje që në fjalët e para të deputetes të mund të mund të përcaktojë nëse ajo po diskuton ose jo për procedurë. Zonja Vokshi e ka kërkuar fjalën për procedurë, ka për të shprehur diçka në lidhje me procedurat që ndiqen në Kuvend dhe mendoj që është në të drejtën e saj të flasë 3 minuta siç e përcakton rregullorja. Veprimi juaj nuk ishte korrekt. Prandaj ju lutem jepini fjalën Zonjës Vokshi.”
Vokshi refuzoi të lironte foltoren, teksa Ruçi ndërpreu seancën për 5 minuta.
Gramoz Ruçi: “Zonja deputete, zonja deputete mund të uleni. Atëherë detyrohem t’ju lexoj edhe një herë nenin, fjala jote s’kishte të bënte fare me zbatimin e rregullores, as me rendin e ditës…uluni! Zonjë keni dy minuta që keni bllokuar foltoren, do më detyroni të marr masa. Do më detyroni të marr masa, jo të dënoj unë, të dënon rregullorja. Zonjë mund të ulesh. Atëherë sipas nenit përkatës, ke dy minuta që ke bllokuar foltoren e parlamentit, vërejtje! Uluni zonjë!… 5 minuta pushim që ta kuptojë zonja që po shkel rregulloren para se të marr masë tjetër.”