Ndërtimi pa leje në Grykën e Këlcyrës, në Lumin Vjosë u ka kushtuar shumë drejtuesve të policisë vendore.
Ndonëse konstatimi i grumbullimit të materialeve dhe fillimit të punimeve në këtë vend për devijimin e një burimi natyror uji është bërë në datë 5 shtator, ngjarja nuk është raportuar pranë strukturave përgjegjës dhe nuk u referua në Prokurori. Për ketë asrye drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Haki Çako ka firmosur disa masa për punonjësit e Policisë, të cilët janë evidentuar me përgjegjësi administrative dhe penale. Kështu, është shkarkuar nga detyra Shefi i Komisariatit të Policisë Përmet, Kryekomisar Gazment Shehu si dhe Shefi i Stacionit të Policisë Këlcyrë, Nënkomisar Edmond Anxhara. Nga radhët e uniformave blu është përjashtuar Inspektor Dashnor Jakupi, Specialist i Policisë së Zonës, ndërsa Drejtorine Policisë Gjirokastër, Lorenc Panganika dhe zv.drejtorin Koço Dafa është dhënë vërejtje me paralajmërim. Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave ka referuar edhe materialet në Prokurorinë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, ndërsa për këtë problematikë ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. Përmes një letre dërguar drejtuesve të Policisë së Shtetit, Xhafaj dënon ashpër mos reagimin e strukturave përgjegjëse në kohën e konstatimit të punimeve, duke nënvizuar nevojën për kontrollin e territorit dhe tërheq vëmendjen e strukturave vendore të policisë lidhur me përgjegjësinë ligjore që ato kanë për parandalimin, evidentimin dhë ndëshkimin e shkeljeve të ligjit, të cilat lidhen me ndërtimin në territor, si dhe me ruajtjen e mjedisit. Në letër Xhafaj thekson se askush nuk ka imunitet për t’i shpëtuar ndëshkueshmërisë në rastin e ndërtimeve të paligjshme dhe akoma më keq, kur kryhen krime që cenojnë mjedisin, shëndetin, sigurinë apo jetën e qytetarëve. “Mbetem personalisht i angazhuar si dhe në përmbushje të zotimeve të Qeverisë shqiptare, ashtu sikundër besoj edhe për ju, për të kërkuar ndëshkim me tolerancë zero të çdo punonjësi të Policisë, që me veprime apo mos veprime shkel ligjin, apo bëhet palë me shkelësit e tij”, shkruan ministri. Ndërkohë, për rastin ka reaguar edhe Kryeministri Rama. “Shkarkimet në polici për krimin mbi Vjosë duhet të jenë vetëm fillimi dhe duhet të bëhen normë për çdo krim mjedisor”, shkruan kryeministri në rrjetet sociale.