Ndeshja mes Adës së Velipojës dhe Burrelit e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” është mbyllur me një incident.
Sulmuesi Edison Puka, që këtë sezon luan me Burrelin, futet në lojë sapo fillon pjesa e dytë duke zëvendësuar Mellugjën.
Në ato çaste rezultati ishte 1-0 për Adën, rezultat që normalisht nuk i përshtatej ekipit mik duke krijuar herë pas here edhe nervozizma në lojë. Ada shënon edhe golin e dytë në minutën e 56’ gjë e cila thuajse shuan shancet e Burrelit për një barazim dhe mbase shton dozën e agresivitetit. Në minutën e 67’ bën një ndërhyrje ndaj portierit Hila duke u ndëshkuar me karton të verdhë. Pa u bërë 10 minuta nga kartoni i parë, në minutën e 75’ sulmuesi i Burrelit bën një tjetër ndërhyrje kësaj here ndaj mbrojtësit të Adës Erbet Hotaj.
Arbitri Yzeiraj nuk toleron aspak ndaj këtyre ndërhyrjeve dhe në minutën e 75’ sulmuesi i Burrelit Edison Puka merr kartonin e dytë të verdhë dhe largohet me karton të kuq. Dalja me të kuqe e irriton ish-sulmuesin e Adës i cili duke hyrë në dhomat e zhveshjeve godet me forcë derën e dhomës duke e thyer atë në pjesën e poshtme.
Në ato momente në dhomë futen dy policë të cilët i kërkojnë sulmuesit që të qetësohet dhe të mos bëjë më gjeste të tilla anti-sportive. Puka debaton me policët duke ngritur tonet e zërit por edhe duke mos iu bindur atyre. Kaq mjafton dhe sulmuesi shkodran merr urdhër që të vishet për t’u shoqëruar në komisiariatin e Shkodrës. Sërish duke mos u bindur, në moment në dhomën e zhveshjes ku ndodhej futbollisti vijnë forcat e ndërhyrjes së shpejtë FNSH që bëjnë të mundur shoqërimin e tij në mikrobuzin e policisë dhe nga aty në mjediset e komisiariatit për të dhënë shpjegimet për incidentin e shkaktuar.
Gjatë shoqërimit nga ana e efektivëve të FNSH Puka nuk bëri rezistencë por shkoi qetësisht drejt komisariatit. Duke qenë se luante ndaj ish-skuadrës së tij Puka e ka patur mbase të vështirë të pajtohet me humbjen e skuadrës së tij Burrelit dhe duke parë edhe daljen me karton të kuq ka shtuar tek ai nervozitetin që e shfaqi qartë.