Ndeshja derbi e Shkodrës mes Vllaznisë B dhe Adës së Velipojës në Kategorinë e Dytë ka përfunduar me fitoren e kuqebluve në shifrat 3-2.
Ky takim u luajt në fushën sportive “Reshit Rusi”, një përballje me rivalitet dhe shumë gola të shënuar. Është sulmuesi Pusi që shënon golin e parë për Vllazninë B në minutën e 27’ por gëzimi i shkodranëve nuk zgjat shumë sepse Ada barazon shumë shpejt me Hasanin në minutën e 33’.
Pjesa e parë është e mbushur me gola ndërsa Vllaznia B gjen sërish avantazhin me një gol të shënuar nga Sekja në minutën e 40’. Ende pa mbaruar pjesa e parë kuqeblutë realizojnë edhe golin e tretë me anë të Pali në minutën e 42’ duke e çuar në 3-1 rezultatin.
Pjesa e dytë nis me një gol të Adës të shënuar nga Përndrecaj në minutën e 56’ duke ngushtuar në 3-2 shifrat. Ada kërkon golin e barazimit por Vllaznia B arrin që të mos ndëshkohet dhe e fiton këtë ndeshje në shifrat 3-2. Pas këtij takimi trajneri i Vlaznia B Altin Xhahysa kërkon që në përballjet e ardhshme lojtarët e tij të kenë më shumë seriozitet në lojë.
Trajneri i Adës Vahedin Pepa është i kënaqur me lojën që zhvilloi ekipi i tij pavarësisht humbjes ndaj Vllaznia B.
Pas kësaj jave Vllaznia B është në vendin e 8-të me 9 pikë dhe një ndeshje më pak ndërsa Ada e Velipojës renditet pas kuqebluve në vendin e 9-të dhe me 7 pikë të grumbulluara në 8 takime të luajtura.
Objektivi i Vllaznia B dhe Adës është që të jenë sa më lart në tabelën e klasifikimit për të shmangur rrezikun e rënies nga Kategoria e Dytë.