CAS SHKRUAN NË FAQEN ZYRTARE SE PAS DËGJIMIT TË ANKESAVE TË DY VENDEVE. Më 13 Qershor do të jepet vendimi i arbitrazhit për fatin e ndeshjes së futbollit mes Serbisë dhe Shqipërisë të luajtur më 14 tetor në Beograd, por që u ndërpre pas ngritjes së dronit me flamurin e Shqipërisë së Madhe dhe dhunes qe shpertheu ne fushen e blerte.

Njoftimi i kësaj date është bërë nga Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS) një ditë pasi u dëgjuan pretendimet e të dyja palëve në seancën gjyqësore maratonë prej 11 orësh në Lozanë të Zvicrës ( në ditë të veçanta).   CAS shkruan në faqen zyrtare se pas dëgjimit të ankesave të Shoqatës shqiptare të Futbollit dhe asaj serbe, Gjykata është tashmë në proces vlerësimi dhe se vendimin përfundimtar do ta japë më 13 qershor, datë kjo para ndeshjes së radhës për kualifikimin në kampionatin Europian Francë 2016. Presidenti i FSHF-së Armando Duka tha dje në përfundim të seancës në Lozanë se Shqipëria i qëndron kërkesës për të marrë 3 pikët në tavolinë. Ai tha se për herë të parë u fol edhe për çështjen e racizmit në Serbi gjatë ndeshjes me kuqezinjtë. Pas ndërprerjes së ndeshjes UEFA dënoi Shqipërinë duke i dhënë fitoren në tavolinë Serbisë. Shqipëria mori edhe gjobë 100 mijë euro, ndërsa Serbia për të balancuar politikisht dënimin u dënua me heqjen e tre pikëve të fituara ndaj Shqipërisë duke zeruar takimin, me 100 mijë euro gjobë dhe 2 ndeshje pa tifozë.  Të dyja palët apeluan vendimin duke e çuar çështjen në Arbitrazhin Sportiv.

Artikulli paraprakSHQIPËRIA TRE FITORE NË GJYSËMFINALET E MEMORIALIT
Artikulli tjetërSHABAJ BËN BILANCIN NË 24 VITE KRYEKOMUNAR I POSTRIBËS