Policia e Tiranës, masa të shtuara për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të futbollit midis Shqipërisë dhe Polonisë, e cila do zhvillohet më datë 12.10.2021, në orën 20:45, në stadiumin “Air Albania”.

Me qëllim marrjen e masave gjatë zhvillimit të ndeshjes Shqipëri – Poloni, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka hartuar planin e masave për mbarëvajtjen dhe sigurimin e rendit para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes. Masat e marra nga Policia e Tiranës konsistojnë jo vetëm në ambientet e stadiumit, por dhe në një perimetër më të gjerë jashtë tij.

Në këtë kuadër do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, të cilat do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit janë:
– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Faik Konica” rruga “Dervish Hima”, rruga “ Gjergj Filipi”, rruga Asim Zeneli” rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri tek stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca deri te sheshi “Nënë Tereza”.

Hyrja e tifozëve do të fillojë në orën 18:00, dhe lëvizja e tyre do të garantohet nga Policia, përgjatë rrugëkalimeve të caktuara dhe nuk do të lejojnë grumbullim apo kalim të tifozëve jashtë itinerarit të caktuar.

Policia e Tiranës kërkon mirëkuptimin e tifozerive respektive në zbatimin e detyrimeve të mësipërme, si dhe mirëkuptimin e qytetarëve për të evituar lëvizjen me automjete në segmentet rrugore të lartpërmendura në oraret e caktuara.

Po në zbatim të planit të masave, do të ushtrohen kontrolle ndaj tifozëve para hyrjes në stadium për sende të kundërligjshme (si armë, sende të forta, bidonë uji, çadra, çelësa metalik apo lëndë piroteknike etj.) dhe çdo tifoz duhet të jetë i pajisur me dokument identifikimi.

Nuk do të lejohen të futen në stadium persona pa dokument identifikimi, si dhe fëmijët nën moshën 16 vjeç, pa praninë e prindërit apo kujdestarit.

Policia ju bën me dije se në rastet e prishjes së rendit dhe qetësisë publike, do të ndërhyjë si në ambientet e jashtme të stadiumit, ashtu dhe në ambientet e brendshme, për rivendosjen e rendit dhe shoqërimin e personave që do shkaktojnë trazira apo kryejnë veprime antisportive.

Policia e Tiranës edhe njëherë apelon për tifozëritë e dy skuadrave që të tregojnë qytetari dhe të zbatojnë rregullat dhe ligjin.

Artikulli paraprakSHKODËR, DITA NDËRKOMBËTARE E VAJZAVE
Artikulli tjetërJA PËR SA MILIONA DOLLARË SHITET FOTOGRAFIA ME AUTOGRAFIN E BEJSBOLLISTIT AMERIKAN, JOE JACKSON