Raporti i komisionit Evropian mbi shkallën e varfërisë në Shqipëri sipas Partisë Demokratike tregon se shteti ka dështuar në kujdesin dhe politikat sociale.
Ish deputetja Oriola Pampuri në një deklaratë për mediat tha se varfëria është rritur me 35.2%.
Pampuri: Familjet më të prekura nga rritja e varfërisë në vend janë ato më të pambrojturat, janë të papunët, familjet që jetojnë në fshat, të moshuarit, gratë e divorcuara, personat me aftësi të kufizuara, si dhe romët dhe egjiptianët. 35.2 përqind e rritjes së varfërisë do të thotë se shteti ka dështuar plotësisht me kujdesin dhe politikat sociale.
Vështirësitë e punësimit të personave me aftësi të kufizuar pohohen edhe nga vetë individët e kësaj kategorie. Kreu i shoqatës së invalidëve Abdullah Omuri thotë se biznesi nuk është treguar dashamirës në punësimin e tyre, duke ofruar kushte të pafavorshme për ta, ndërsa shton se vetëm në muajin qershor 3 raste të përjashtimit me pa të drejtë nga puna janë adresuar në gjykatë.
Omuri: Ose i mbajnë me orar të zgjatur dhe nuk i jep ato që i takojnë në bazë të kodit të punës, ose i nxjerr edhe ditët e pushimit dhe kjo i bën të pakënaqur. Këto janë në kundërshtim me raportin mjekësor për invalidin. Deri tani mund të them se janë fituar 3 vendime gjyqi në lidhje për tu kthyer në vendin e punës invalidët.
Në seancën e fundit të parlamentit për këtë sesion, është miratuar ligji i ri për asistencën sociale, i cili ka hequr limitin për mbështetjen e personave me aftësi ndryshe që punojnë.
Manastirliu: Hiqet limiti 48 mujor i pagesës së aftësisë së kufizuar për personat e punësuar, duke nxitur punësimin dhe integrimin e kësaj kategorie përmes punësimit, pasi ata do ta përfitojnë paketën e plotë të mbrojtjes sociale, gjatë gjithë kohës.
Deri tani, personat me aftësi ndryshe e merrnin pagesën e aftësisë së kufizuar edhe 4 vite pas punësimit, ndërsa me ligjin e ri, e marrin përfitimin pa ndërprerje.