Problemet me ndihmën ekonomike vijojnë të shoqërojnë qytetarët shkodranë, të cilët prej fillimit të vitit janë përballur me skemën e re, e cila ka rropatur pafund ata nëpër zyra të ndryshme.
Është data 4 maj dhe ka katër ditë që ka filluar aplikimi për muajin maj, i cili zgjat deri në datën 10. Në qendrën komunitare numër 3, e cila ndodhet në afërsi të Katedrales së Shën Shtjefnit, prej katër ditësh nuk kryhet puna siç duhet.
Qytetarët janë të detyruar të presin me orë të zgjatura pasi vijon të ketë problematika sistemi i internetit.
Qytetarët shprehen se ndihma ekonomike vijon të jetë e vetmja shpresë për të siguruar të ardhura, për shkak të pamundësisë së punën dhe mungesës së altenativeve të saj.
Skema e re e ndihmës ekonomike, e prezantuar që në fillim të këtij muaji ka përballur dhjetra familje me heqje të saj për shkak të mosplotësimit të pikëve.
Edhe pse kemi hyrë në muajin e pestë të aplikimit të kësaj skeme, sërish vijon të jetë një shqetësim evident për të gjithë qytetarët që aplikojnë për ndihmën ekonomike.