Problemet me skemën e re të ndihmës ekonomike vijojnë kalimin e përgjegjësive nga pushteti lokal tek Shërbimi Social dhe anasjelltas.
Nëse Bashkia Shkodër pretendon në vonesa të Shërbimit Social për kontrollin e listave, ky i fundit bën fajtor bashkitë për miratim të vonuar.
Sipas Valbona Tulës, drejtore e Shërbimit Social Shkodër, këshillat bashkiak duhet të kalojnë para datës 20 të çdo muaji, ndërsa bashki të ndryshme të Qarkut Shkodër ka patur raste qe e kanë kaluar në datën 28.
Si pasojë e kësaj, krijohen vonesa pasi nuk mund të merret vendimi nga Shërbimi Social nëse të pesë bashkitë e qarkut nuk e përfundojnë në kohë.
Tula shprehet se vonesat ndodhin pasi administratorët shoqëror nuk çojnë në kohë të dhënat në këshillat bashkiak, duke vështirësuar kështu edhe punën e Shërbimit Social.
Tula tha se mbetet problem edhe mosfirmosja e deklaratës tre mujore nga aplikuesit, ndërsa ka përplasje midis tyre dhe administratorëve për arsye moskoordinimi.
Kemi hyrë në muajin e shtatë të skemës së re të ndihmës ekonomike, ndërsa institucionet përgjegjëse vijojnë të kalojnë fajin nga njëra anë në tjetrën. Ndërsa familjet me nevoja ekonomike janë ata që e vuajnë.