Ndihmës-sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Wess Mitchell do të vizitojë Kosovën, Maqedoninë, Serbinë, Greqinë dhe Qipron gjatë datave 12-17 mars.

Ndërsa udhëtimet e të dërguarit të SHBA-ve nisin sot, nuk dihet pse në këtë tur rajonal është përjashtuar vetëm Shqipëria.

Nga Maqedonia, i dërguari i SHBA-ve nuk do të udhëtojë drejt Tiranës por drejt Beogradit. Në njoftimin e Departamentit Amerikan të Shtetit thuhet se më 14 Mars ai do të jetë në Serbi ku do të takohet me zyrtarë të lartë, duke përfshirë presidentin Vuçiç dhe kryeministren Brnabiç si dhe udhëheqësit e opozitës.

Ai do të riafirmojë marrëdhënien e fortë midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të nxisë qeverinë serbe të ecë përpara për të normalizuar marrëdhëniet me Kosovën, të përparojë me reformat për të arritur qëllimin e saj për anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe të mbështesë në mënyrë aktive stabilitetin rajonal.

Pas Maqedonisë Wess Mitchell do të udhëtojë më 15 Mars drejt kryeqytetit grek Athinës, ku do të takohet me zyrtarë të lartë grekë për të diskutuar mbi thellimin e lidhjeve strategjike me SHBA-të dhe forcimin e bashkëpunimit dypalësh, duke përfshirë fushat e mbrojtjes, energjisë, tregtisë dhe investimeve.

Ai pritet ta përmbyllë turin e tij në Nikosia, kryeqytetin e Qipros më 16 Mars, ku do të diskutojë me krerët më të lartë atje mbi çështjet dypalëshe dhe rajonale, duke përfshirë këtu zhvillimin e burimeve energjetike në Mesdheun Lindor.

Ai do të takohet gjithashtu me krerët grekë qipriotë dhe turq qipriotë, si dhe me përfaqësuesit e Kombeve të Bashkuara.

Nuk dimë nëse do ta kishte zgjedhur Tiranën si destinacion po të kishte pasur edhe një ditë më shumë të lirë në axhendën e tij. Kujtojmë që paraardhësja e tij Victoria Nuland e ka vizituar edhe Shqipërinë gjatë turit të saj në Europën Juglindore.

Artikulli paraprakBERAT, AKSIDENTOHET MIKROBUSI ME NXËNËS
Artikulli tjetërDARDHË E FUSHË-ARRËZ, NDIHMË PËR FAMILJET ME SHTËPI TË RRËNUARA