Pa kaluar 24 orë nga protesta e Forumit Rinor të Partisë Demokratike para Ministrisë së Brendshme, Policia e Tiranës referoi në prokurori materialet për 9 prej tyre.
Komisariati nr.1 ka bërë kallëzim për kreun e FRPD Belind Kellicci, dhe organizatorët e pjesëmarrësit në tubim, të gjithë persona të moshave nga 22 deri në 42 vjeç, të cilët akuzohen për tubim të paligjshëm.
Belind Këlliçi tha se kishin dorëzuar kërkesën në Policinë e Tiranës që në datën 27 maj.
Këlliçi: Unë në fakt nuk kam marrë një njoftim zyrtar nga policia e shtetit, edhe pse e kanë detyrim të më njëoftojnë. Ne përmes dy shkresave i jemi drejtuar policisë së shtetit për të bërë njoftimin përkatës. Një shkresë është dërguar në datën 27 për të njoftuar policinë për protestën.
Dosja ka mbërritur në prokurorinë e tiranës dhe pritet të jetë organi i akuzës që do të përcaktojë mënyrën si do të procedohen personat e kallëzuar. Një ditë më parë, të rinj të FRPD morën pjesë në protestën përpara Ministrisë së Brendshme, ku kërkuan largimin e ministrit Fatmir Xhafaj.
Sipas tyre, fshehja e dënimit të vëllait të tij, Agron Xhafaj, do të mjaftonte që ministri I brendshëm të largohej. Lajmi për referimin e materialeve në prokurori është bërë i ditur përmes komunikatës zyrtare të Policisë së Shtetit, ku thuhet se ata akuzohen nga komisariati nr 1 i policisë sipas nenit 262/1 të Kodit Penal.
Në këtë nen saktësohet se organizimet e paligjshme dënohen me gjobë deri në një vit burg dhe kur ka pasoja të rënda deri në 2 vjet heqje lirie. Policia ka proceduar më herët edhe 31 persona të tjerë në lidhje me incidentet që ndodhën gjatë protestës së opozitës më 26 maj tek ministria e Brendshme.
Në protestë nuk munguan edhe simbolika, si improvizimi i një gomoneje me drogë dhe para saj fotot e Ramës, Tahirit dhe Xhafaj të identifikuar nga opozita si “peshqit e mëdhenj”.