Prej vitesh në Shkodër mungojnë aksionet e pastrimit të bregut të liqenit. Bimësia e dalë në breg I ka dhënë një pamje aspak të këndshme për syrin sheshit të Shirokës ku qytetarë të shumtë zgjedhin të kalojnë kohën e lirë në ajrin e freskët dhe të pastër që kjo zonë ofron.
Tashmë, të shumtë në numër janë edhe turistët vendas dhe të huaj që vizitojnë një prej vendeve më të bukura të qytetit, por që gjenden të surprizuar nga gjendja në të cilën gjendet bregu I liqenit. Janë qytetarët shkodranë të cilët thonë se duhen marrë masa për pastrimin e liqenit.
Të shpeshta kanë qenë thirrjet ndaj institucioneve të marrin parasysh situatën e krijuar dhe të krijojnë grupe pastrimi të herë pas hershme. Banorët në Shirokë por edhe grupe të ndryshme vullnetare kanë marrë iniciativa personale për pastrimin e liqenit të Shkodrës, por pavarësisht kësaj, situata akoma vijon të jetë drejt përkeqësimit.