Qendra e Informacionit Aarhus prezantoi në qytetin e Shkodrës raportin e faktorëve ndotës të lumit Drin në Bashkitë Shkodër dhe Vau-Dejës.

Të ftuar në prezantimin e këtij raporti ishin përfaqësues të prefekturës së qarkut, përfaqësues të drejtorive në dy bashkitë respektive dhe të drejtorive rajonale të mjedisit e bujqësisë. Drejtorja e qendrës që po zbaton këtë projekt të mbështetur nga Bashkimi Evropian tha se ndotja e lumenjve është një problematikë që rritet, ndërsa prezantoi për të pranishmit edhe disa prej sugjerimeve për përmirësimin e situatës.

Gjatë diskutimeve u vu theksi edhe tek disa prej pikave më problematike dhe më të ndotura përgjatë rrjedhës së lumit. Synimi i këtij takimi ishte prezantimi e shkallës së ndotjes në rrjedhën e lumit Drin, identifikimi i vështirësive që kanë institucionet për menaxhimin e situatës si dhe diskutimi i mënyrave të mundshme për mirëmbajtjen e shtratit të lumit. Ndotja dhe devijimi i shtretërve të lumenjve si pasojë e mbetjeve urbane dhe inerte vijon të jetë një potencial i rrezikshëm përmbytjesh.

Edhe pak ditë më parë, drejtori i Emergjencave Civile të Shqipërisë Shemsi Prençi deklaroi nga Shkodra se një nga arsyet kryesore të vërshimit të ujërave është dëmtimi i vazhdueshëm i shtretërve të lumenjve.

Artikulli paraprakUNHCR, NË PAK KOHË, 915 REFUGJATË KANË KALUAR KUFIRIN
Artikulli tjetërZYRAT ME NJË NDALESË, NË 4 MUAJ 6000 KËRKESA