Këshilli bashkiak i Shkodrës zhvilloi mbledhjen e radhës duke miratuar thuajse të gjitha pikat e rendit të ditës. Një prej pikave që u miratua lidhet me fondin 6% të ndihmës ekonomike. Familjet që kanë mbi 3 fëmijë dhe që njëri prej fëmijëve është nën 5 vjeç do të marrin më shumë pikë dhe do të kenë më shumë mundësi për të përfituar fondin prej 6%. Deri më tani këto familje janë refuzuar pasi nuk plotësonin pikët përkatëse. Në këtë pikë u propozua edhe heqja e vërtetimit të shkollës dhe certifikatës familjare por nuk u miratuan pasi këto verifikime bëhen në sistemin kombëtar duke filtruar se kush duhet të jetë përfitues.
Gjatë mbledhjes së këshillit bashkiak, nënkryetari i bashkisë Shkodër Tonin Dedaj kërkoi heqjen e pikës 10-të për një ndryshim buxhetor që lidhet me ndërtimin e urës së shembur në Rragam të njësisë Guri i Zi. Kjo pasi nuk është ende gati dokumentacioni nga institucionet qeveritare për bashkëfinancimin mes qeverisë dhe bashkisë Shkodër për ndërtimin e asaj ure.
Në mbledhjen e këshillit bashkiak u miratua fondi 6% për muajin dhjetor 2022, subvencioni i qirasë, një kat shtesë në konviktin e ish shkollës veterinare për banesa sociale si dhe listën e përfituese të qirasë për familjet në vështirësi.