Ndryshimet e përfolura tek Akademia Vllaznia kanë filluar të bëhen realitetit. Kështu, klubi shkodran ka bërë të ditur disa emërime të trajnerëve të saj, teksa vihet re edhe një ndryshim pozicioni për Vioresin Sinani. Ai ishte emëruar më parë trajner në krye të ekipit U-21, por duket se largimi i Gilman Likës jashtë vendit, i cili përflitej për të marrë drejtimin e ekipit U-19, i ka ndryshuar gjërat dhe ish-sulmuesit të njohur i është besuar skuadra e 19-vjeçarëve. Në vend të tij tek ekipi U-21 është emëruar Ergi Borshi. Ndërkohë, ndryshime ka pasur edhe tek ekipi U-17, aty ku është emëruar Ersi Çaku, ndërsa tek ekipi U-16 që do të jetë risi për këtë vit është emëruar Alsid Tafili. Ja njoftimi i plotë i klubit shkodran:
“KF Vllaznia bën të ditur se përpos ekipit U-21, duke filluar nga dita e nesërme do të nisin stërvitjen edhe ekipet U-16, U-17 dhe U-19, ekipe të cilave u fillojnë më shpejt kampionatet. Për këtë arsye, janë zyrtarizuar edhe emrat e trajnerëve që do të punojnë me to. Konfirmojmë ndryshimin e pozicionit të z. Vioresin Sinani, i cili më parë ishte emëruar trajner i ekipit U-21, por tani e tutje do të jetë në krye të ekipit U-19, ndërsa ndihmës i tij do të jetë Malvin Meçarovi. Ndërkohë, trajner i ekipit U-21 emërohet Ergi Borshi dhe ndihmës i tij Fatjon Kadija. Në krye të ekipit U-17 është emëruar trajner Ersi Çaku, ndërsa trajner i ekipit U-16 emërohet Alsid Tafili. Njoftojmë të gjithë futbollistët se ekipet U-16 dhe U-17 do të nisin stërvitjen ditën e enjte, ora 16:00 në fushën sportive “Reshit Rusi”, ndërsa ekipi U-19 do ta zhvillojë seancën e parë, duke filluar nga ora 17:30. Njëkohësisht, bëjmë me dije se ekipet e tjera të Akademisë Vllaznia do të nisin stërvitjet shumë shpejt, pasi klubi është duke menduar një riorganizim të strukturave drejtuese të Akademisë”,-thuhet në njoftimin e plotë të klubit të Vllaznisë. Tashmë, duke nisur nga dita e sotme, trajnerët e rinj të Akademisë Vllaznia do të fillojnë punën me ekipet e tyre që do të drejtojnë në sezonin e ri, teksa objektiv mbetet nxjerrja e elementit cilësor për skuadrën e parë.

Artikulli paraprakMALËSI E MADHE, KONCERTI PËR EMIGRANTËT
Artikulli tjetërU PLAGOS PAS NDËRHYRI PËR TË SHUAR NJË SHERR NË HIMARË, RAMA: RESPEKT PËR POLICIN REDIN ÇAUSHAJ