Efektet negative të ndryshimeve klimatike do të përkeqësojnë varfërinë në mbarë botën, tha Nesrin Algan, profesoreshë e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin e Ankarasë.
Ajo në prezantimin e saj online mbi drejtësinë klimatike tha se problemet e shkaktuara nga ndryshimet klimatike po ndikojnë në të gjithë botën në aspektin social dhe ekonomik.
Duke përmendur se emetimet e gazeve serë u dyfishuan midis viteve 1990 dhe 2015, Algan tha: “Një person në 1 përqindëshin e më të pasurve të botës shkakton 175 herë më shumë emetime të karbonit sesa një person në 10 përqindëshin e më të varfërve”.
“Kushtet e motit në lidhje me ndryshimet klimatike po i bëjnë dëm të madh ekonomisë. Vetëm në SHBA, 241 ngjarje ekstreme të motit që nga viti 1980 kanë shkaktuar dëme prej 1,6 trilionë dollarësh”, shtoi Algan.
Algan theksoi se ndryshimet klimatike do të thellojnë varfërinë dhe pabarazinë ekzistuese, ndërsa vendet më të varfra do të preken më shumë.
“Nëse qeveritë nuk i përmbahen Marrëveshjes së Klimës në Paris, do të ketë rritje të ndikimit ekonomik të ndryshimit klimatik. Për shkak të ndryshimeve klimatike, njerëzit do të privohen nga të drejtat themelore të njeriut të tilla si jeta, ushqimi, strehimi dhe uji”, tha ajo.
Ajo theksoi se mes vitit 2030 dhe 2050 nën ndikimin negative të ndryshimeve klimatike do të jenë 100 milionë njerëz për çdo vit.
Deri në vitin 2030, 120 milionë njerëz në të gjithë botën do të varfërohen dhe 250 mijë njerëz do të vdesin nga sëmundjet, tha Algan.