GJERGJ SOKOLI I PSD I MERR MANDATIN MAXHID ALIBALIT TË PLDN. Ndryshojnë raportet në Këshillin e ri të Bashkisë Shkodër. Aleancës për Shqipërinë Europiane, thënë ndryshe koalicionit të majtë i ikën një mandat nga partitë aleate. Në këtë mënyrë nuk do të jetë Maxhid Alibali i partisë Lëvizja Demokratike për Ndryshim dhe në vend të tij rikonfirmohet në këshillin e ri Gjergj Sokoli i cili kandidoi për partinë socialdemokrate duke qenë i parë në listë.

Për shkak se PSD është parti jashtë koalicionit deri në çastet e fundit gjatë procesit të numërimit, nga rezultatet paraprake Gjergj Sokoli edhe pse me një numër prej 1841 votash konsiderohej pa mandat. Pas përllogaritjeve zyrtare dhe pas çertefikimit të procesit nga ana e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Gjergj Sokoli rezulton se ka marrë mjaftueshëm vota sa për të qenë sërish pjesë e këshillit bashkiak. Maxhid Alibali i Lëvizjes Demokratike për Ndryshim, pjesë e koalicionit të majtë përllogaritej nga rezultatet paraprake me një mandat duke qenë se kishte marrë 576 vota. Shumë kush mendoi se është 3% pragu për të kapërcyer nga partitë jashtë koalicionit për të siguruar një mandat por në fakt për zgjedhjet vendore nuk ka prag për subjektet politike. Thjeshtë përpjestohet numri i votuesve me atë të 52 kandidatëve për këshillin bashkiak dhe në bazë të kësaj përllogarie Gjergj Sokoli i PSD merr mandatin duke lënë jashtë këshillit Maxhid Alibalin të PLDN. Koalicioni i djathtë mbetet në kuotën e 27 mandateve ndërsa të majtit nga 24 bien në 23 mandate dhe e vetmja parti jashtë koalicionit që do përfaqësohet në këshill është PSD. Gjergj Sokoli në 4 vitet e kaluara ishte në këshillin bashkiak nën siglën e partisë Demokristiane ndërsa kësaj here do përfaqësojë socialdemokratët. Sa i përket ankimimeve për Shkodrën, dita e hënë e javës së ardhshme është afati i fundit dhe deri tani ankimim ka bërë vetëm partia Demokratike për qendrën e votimit 0092 që i përket komunës Pult për të cilën u publikua edhe një video se si mbusheshin kutitë e votimit.

Artikulli paraprak20 VITE NGA MASAKRA E SREBENICËS
Artikulli tjetërPROTESTË NË MBËSHTETJE TË ANJEZE GJELUCIT