Ndryshim në rregulla për taksen e hapësirës.
Një biznes bar-kafe me 30 metra katror vetëm nga rritja e taksës së hapësirës dhe vendosja e taksës për tavolinë 60 mijë lekë në muaj, shumë që është e barabartë pothuajse me qiranë mujore. Bar restorantet, por dhe dyqanet e tregtimit, që shfrytëzojnë hapësirat jashtë (fruta perime kryesisht) do të përballen me taksa të shumëfishuara nga janari, në bazë të vendimit të 30 dhjetorit 2015 të bashkisë, për “Sistemin e Tarifave vendore në qytetin e Tiranës”. Sipas vendimit, taksa e hapësirës në zonën A është bërë 1500 lekë për metër katror në muaj nga 150 lekë për metër katror, që ishte më parë. Përveç kësaj, është shtuar dhe një taksë e re për tavolinat jashtë prej 2500 lekë për tavolinë në muaj. Por, sa dotë paguajnë tani bizneset. Marrim si shembull një bar të vogël familjar me një sipërfaqe prej 30 metra katror. Më parë ai paguante taksën e hapësirës prej 150 lekë për metër katror shumëzim me 30 metra, pra 4500 lekë në muaj. Me ndryshimet e fundit, nga 1 janari, i njëjti biznes do të paguajë: -Taksa e hapësirës, 1500 lekë për metër katror x 30 metra = 45,000 lekë -taksa për tavolinat (në një sipërfaqe prej 30 metra katror mund të vendisen maksimumi 6-7 tavolina) =15,000 lekë. Në total, biznesi bar-kafe vetëm nga këto dy taksa do të paguajë 60 mijë lekë në muaj, shumë që është e barabartë pothuajse me qiranë mujore. Në vit, shuma që do paguajë ky bar kafe që shfrytëzon një hapësirë publike jashtë do të jetë 720 mijë lekë. Kësaj i shtohen dhe taksat e tjera të pastrimit, që për bizneset deri në 2 milion lekë është 3500 lekë në vit dhe për bizneset me xhiro nga 2-8 milionë lekë është 12 mijë lekë në vit. Pra vetëm nga këto taksa, një biznes i vogël do të paguajë shumë më tepër se taksa e biznesit të vogël prej 25 mijë lekë në vit, që u hoq pak muaj më parë.
/ Star Plus TV /