Bujqësia edhe pse është një nga prioritetet e qeverisë, në vitin 2022 do të marrë më pak para se në vitin aktual. Konkretisht sipas të dhënave në relacionin e projektbuxhetit dhe tabelat e projektligjit thuhet se shpenzimet e parashikuara për Ministrinë e Bujqësisë janë 12.736 miliardë lekë në vitin e ardhshëm nga 13,156 miliardë lekë që janë këtë vit.

Pra fondet për këtë institucion janë tkurrur me 419.96 milionë lekë. Por pavarësisht uljes së buxhetit Ministria e Financave thotë se në vitin që vjen do të ketë rritje të punësimit në këtë sektor si dhe do të shtohet numri i fermerëve që do të përfitojnë nga skema e naftës.

Por teksa diskutohet për shtimin e mbështetjes për këtë sektor, ministria e Financave, ka hartuar projektligjin për ndryshimin e ligjit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ku synon heqjen e kompensimit prej 6% për të gjithë prodhuesit bujqësor.

Sipas ekspertëve të fushës një vendim i tillë do të thotë që fermeri për produktet që do të shesë si për jashtë ashtu edhe brenda vendit, do e ketë rimbursimin e TVSH-së 0%, duke i vënë në pozita të pabarabarta me produktet e importit.

Të gjithë e kujtojmë skenën viteve të kaluara ku fermerët derdhnin qumështin për shkak të rimbursimit të gabuar të qumështit, deri kur qeveria e ndryshoi e vendosi ti rimbursoi fermerët për krerë bagëtish.

Ndërkohë me lëvizjen e fundit vë në dyshim rimbursim 5% që ju bëhej fermerëve kur dorëzojnë produktet e tyre tek grumbulluesit, ndërsa këta të fundit rimbursohen me 20%. Një politikë e tillë mund të shkaktojë humbje tek prodhuesit bujqësor, dhe produktet tona të mos dominojnë tregun siç pretendohet.

“Heqja e 6 % do te uli dhe atë pak interes që kanë pikat e grumbullimit dhe serat priten te goditen nga kjo lëvizje. Por dhe industria e përpunimit te qumështit merr një goditje duke rritur deficitin nga 14 % ne 20 % ne momentin e blerjes e kjo do sjell interes për qumësht jashtë territorit shqiptar.

Me interes do te ishte barazimi i TVSH 6% ne prodhim dhe 6% ne shitje siç e ka rajoni”, shpjegon Ervin Resuli për këtë propozim të qeverisë.

Artikulli paraprakVRASJA E ISH-EFEKTIVIT NË KURBIN, ME 15 GUSHT 2020 JU BË ATENTAT TË BIRIT, ISHTE NË MAKINË ME FAMILJEN
Artikulli tjetërDOZA E TRETË ANTI-COVID, NGA SOT NIS APLIKIMI NË POPULLSINË MBI 60 VJEÇ