Ndryshon vendimi për ‘vettingun’ Jo rihapje aplikimesh, vetëm plotësim dokumentacioni

Përpara se të fillonte seanca plenare, Parlamenti, në një vendim të marrë në Konferencën e Kryetarëve, ndryshoi me 74 vota vendimin e marrë në seancën e jashtëzakonshme të së hënës së 6 marsit për kthimin e procesit të aplikimit për Komisionet e “vettingut” tek Avokati i Popullit. Tashmë me vendimin e ri të Kuvendit, asnjë kandidat nuk do të ketë mundësinë të aplikojë nga fillimi për të qenë pjesë e trupave që do të rivlerësojnë gjyqtarët dhe prokurorët, por vetëm do t’u lihet mundësia aplikantëve që kanë pasur mangësi në dokumentacion sipas vlerësimit të Avokatit të Popullit. Pas aplikimit të parë, Avokati i Popullit listoi 79 kandidatë që kishin shfaqur mangësi në dokumentacion dhe pas vlerësimit të ONM, këta aplikantë shfaqnin mundësi reale për të qenë pjesë e Komisioneve të “vettingut”, prandaj u duhej dhënë një mundësi për të plotësuar dokumentacionin. Dosjet e këtyre kandidatëve i kanë mbërritur Avokatit të Popullit nga Kuvendi, dhe pas verifikimit, do të nisë procesi i plotësimit të dokumentacionit nga aplikantët.

Artikulli paraprakNISHANI-IVANOVIT: TRANSFERIMI I KRIZËS POLITIKE NË ETNIKE, ME PASOJA
Artikulli tjetërLU: 2017-TA I SHKËLQYER PËR SHQIPËRINË, GODITET KORRUPSIONI NË NIVELE TË LARTA